Gjykata e Hagës jep 81 vite burgim për 4 ish-krerët e UÇK-së: Thaçi dhe Krasniqi nga 25 vite, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar me gjithsej 81 vite burgim katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët u shpallën fajtorë për krime lufte.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, janë dënuar me nga 25 vite burgim. Kadri Veseli është dënuar me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.

Sipas trupit gjykues, katër të akuzuarit u shpallën penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar gjatë luftës në Kosovë.

Rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit

Në të njëjtin aktgjykim, gjykata rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, trupi gjykues konstatoi se Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, element kyç për cilësimin e veprimeve si krime kundër njerëzimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se ZPS-ja nuk kishte arritur të provonte se ishte kryer një sulm i përhapur kundër popullatës civile.

Gjykata theksoi gjithashtu se nuk ishte bindur se personat e shënjestruar mund të cilësoheshin si popullatë civile, duke e konsideruar këtë një tjetër element të rëndësishëm në akuzat për krime kundër njerëzimit.

Selimi dënohet me 13 vite burgim

Rexhep Selimi është dënuar me 13 vite burgim pasi u shpall fajtor për një pjesë të akuzave për krime lufte.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria e Specializuar kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale të Selimit për këto akuza.

Në të njëjtën kohë, Selimi u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aktgjykimi dënues u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Vendimi mund të ankimohet nga pala mbrojtëse në instancat përkatëse.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan dhe u transferuan në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Që prej arrestimit, katër ish-drejtuesit e UÇK-së qëndruan në paraburgim, ndërsa ndaj tyre u zhvillua një proces i gjatë gjyqësor në Hagë. Ata u përballën me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat Prokuroria pretendonte se ishin kryer gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzoheshin për një sërë veprash penale, të cilat, sipas Prokurorisë, ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Prokuroria e Specializuar i kishte bërë ata përgjegjës për krimet e pretenduara, duke argumentuar se kishin qenë në dijeni të tyre ose se, në rrethana të caktuara, duhej të kishin qenë në dijeni për kryerjen e tyre.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zgjati më shumë se tre vjet. Vendimi u shpall pas shqyrtimit të mijëra provave dhe dëshmive.

Kadri Veseli, duke e dënuar me 18 vite burgim

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-drejtuesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, duke e dënuar me 18 vite burgim.

Vendimi është shpallur në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zgjatur disa vite në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kadri Veseli është një prej katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në këtë proces, së bashku me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Aktakuza ndaj katër ish-drejtuesve përfshin akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim.

Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë shpallur ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajtor për disa akuza, duke e dënuar me 25 vjet burgim.

Krasniqi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe gjatë procesit gjyqësor ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Procesi gjyqësor ndaj Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nisi në prill të vitit 2023. Aktakuza përfshinte gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.

Prokuroria kishte kërkuar dënim deri në 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pafajësi.

Gjatë luftës në Kosovë, Krasniqi ishte zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i strukturave drejtuese të saj. Pas luftës, ai ka mbajtur poste të larta institucionale, përfshirë edhe atë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të kundërshtohet në apel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *