Erion Veliaj mbetet në burg, Gjykata e Lartë vendos unanimisht

Nuk ka ndryshim të masës së sigurisë për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata e Lartë vendosi pak më parë, me votim unanim 3:0, të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut.

Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë bën me dije se Kolegji Penal, i mbledhur më 15 shtator 2026 në Dhomë Këshillimi, shqyrtoi kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimeve të mëparshme të gjykatave për masën e sigurisë.

Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

“Lënien në fuqi të Vendimit nr. 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Me këtë vendim, masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Veliajt mbetet në fuqi.

Erion Veliaj po hetohet për 13 akuza penale dhe po gjykohet në GJKKO së bashku me një numër të madh të pandehurish, mes tyre edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Kryebashkiaku ndodhet në burg që prej 10 shkurtit 2025.

Më herët, Gjykata Kushtetuese ia riktheu Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës së Veliajt lidhur me masën e sigurisë, duke argumentuar se duhet të arsyetohet përse një masë tjetër, përveç arrestit në burg, nuk do të ishte e përshtatshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *