“Mbrojmë shtetin e së drejtës, jo interesa financiare” Shoqatat e drejtësisë: Ligjin për pagat do ta dërgojmë në GJK

Katër organizata që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin për statusin e magjistratëve.

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kundërshtojnë mënyrën se si është miratuar ligji dhe kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij. Sipas tyre, akti ligjor bie ndesh me Kushtetutën dhe duhet të shfuqizohet.

Në një deklaratë të përbashkët, katër organizatat shprehen se procedura parlamentare është shoqëruar me një sërë problematikash, duke nisur nga tejkalimi i afateve kushtetuese deri te mungesa e konsultimit të plotë me grupet e interesit. Sipas tyre, procesi nuk është mbështetur gjithashtu nga një analizë financiare e Këshillit të Ministrave, ndërsa dëgjimi i përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë ka qenë vetëm formal.

Shoqatat kundërshtojnë edhe hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit, duke argumentuar se mënyra e ndjekur për miratimin e tij cenon standardet kushtetuese dhe parimet që lidhen me pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Përfaqësuesit e magjistratëve theksojnë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me kërkesa për përfitime financiare. Sipas tyre, çështja kryesore është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv.

Në këtë kuadër, katër organizatat kanë bërë të ditur se do të paraqesin kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese me procedurë urgjente. Ato do të kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e dispozitave që i konsiderojnë antikushtetuese dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.

Shoqatat deklarojnë se presin që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë pretendimet e tyre dhe të garantojë respektimin e parimeve kushtetuese që lidhen me pavarësinë e magjistratëve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Deklarata e plotë:

QËNDRIM I PËRBASHKËT

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.

Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.

Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.

Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.

Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.

Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *