Gati gjysma e shqiptarëve e mbyllin muajin me vështirësi, Shqipëria e dyta në Europë

Për shumë familje shqiptare, mbyllja e muajit mbetet një sfidë

A mundet një familje të përballojë shpenzimet e zakonshme dhe të nevojshme vetëm me të ardhurat që siguron? Kjo është ajo që Eurostat synon të masë përmes pyetjes drejtuar familjeve europiane: “Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra të paguajë shpenzimet e zakonshme të nevojshme?”

Në Shqipëri, përgjigjet tregojnë se për një pjesë të konsiderueshme të familjeve përballimi i shpenzimeve mujore mbetet i vështirë.

Sipas të dhënave të Eurostat të disponueshme për Shqipërinë për vitin 2023, 32.9% e popullsisë deklaron se e ka të vështirë të mbyllë muajin, ndërsa 13.4% thotë se përballet me shumë vështirësi. Të dyja kategoritë së bashku përfaqësojnë 46.3% të popullsisë, ose pothuajse gjysmën e saj.

Ky nivel e rendit Shqipërinë të dytën në Europë për këtë tregues, pas Greqisë. Në vendin fqinj, 67% e popullsisë deklaron se e ka të vështirë ose shumë të vështirë të përballojë shpenzimet mujore. Konkretisht, 35% shprehen se e kanë shumë të vështirë, ndërsa 32% e kanë të vështirë.

Në Bashkimin Europian situata është dukshëm ndryshe. Në vitin 2025, mesatarisht 17.6% e popullsisë deklaronte vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin: 11.2% në kategorinë “me vështirësi” dhe 6.4% në kategorinë “me shumë vështirësi”.

Shqipëria në raport me rajonin

Vështirësitë për përballimin e shpenzimeve mujore shfaqen në nivele të larta edhe në disa vende të tjera të rajonit.

Në Maqedoninë e Veriut, 43.8% e popullsisë deklaron se e ka të vështirë ose shumë të vështirë të mbyllë muajin. Në Malin e Zi kjo përqindje është 37.9%, ndërsa në Serbi 31.2%.

Një nga faktorët që lidhet me aftësinë e familjeve për të përballuar shpenzimet është niveli i të ardhurave. Në Shqipëri, pagat vijojnë të jenë ndër më të ulëtat në rajon.

Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Monitor, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti rreth 860 euro në muaj në vitin 2025.

Në të njëjtin vit, paga mesatare bruto ishte rreth 1,290 euro në Serbi, 1,245 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 1,206 euro në Malin e Zi dhe rreth 1,100 euro në Maqedoninë e Veriut. Kosova ishte i vetmi vend i rajonit me një pagë mesatare bruto më të ulët se Shqipëria, në rreth 713 euro në muaj.

Diferenca është edhe më e theksuar krahasuar me Bashkimin Europian. Në vitin 2024, paga mesatare bruto vjetore për një punonjës me kohë të plotë në BE ishte rreth 39,800 euro, ose afërsisht 3,317 euro në muaj.

Çmimet shtojnë presionin mbi buxhetet familjare

Përveç nivelit të të ardhurave, një tjetër element që ndikon në buxhetet familjare është kostoja e jetesës.

Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian. Për herë të parë, niveli i çmimeve të ushqimeve në vend e kaloi mesataren europiane.

Kjo e vendos Shqipërinë në krye të rajonit për nivelin e çmimeve të ushqimeve dhe e bën diferencën midis të ardhurave dhe kostos së jetesës një faktor të rëndësishëm në presionin që përjetojnë familjet.

Si matet aftësia për të “mbyllur muajin”?

Eurostat e përcakton këtë tregues përmes vlerësimit që vetë familjet bëjnë për vështirësinë që hasin në përballimin e shpenzimeve të zakonshme. Në këtë vlerësim merren parasysh të ardhurat totale të familjes dhe të gjitha burimet e saj të të ardhurave, përfshirë edhe të ardhurat e parregullta.

Shpenzimet e zakonshme përfshijnë edhe kostot që lidhen me banesën, ndërsa përjashtohen shpenzimet që kanë të bëjnë me biznesin dhe fermën.

Në anketë familjeve u drejtohet pyetja: “Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra të paguajë shpenzimet e zakonshme të nevojshme?”

Përgjigjet klasifikohen në gjashtë kategori: “me shumë vështirësi”, “me vështirësi”, “me disa vështirësi”, “relativisht lehtë”, “lehtë” dhe “shumë lehtë”.

Për të llogaritur treguesin e personave që përballen “me vështirësi ose me shumë vështirësi”, Eurostat bashkon dy kategoritë e para.

Situata në Europë

Në vitin 2025, 17.6% e popullsisë së Bashkimit Europian deklaroi se e kishte të vështirë ose shumë të vështirë të mbyllte muajin.

Në anën tjetër, 26.4% e popullsisë deklaroi se e përballonte jetesën lehtë ose shumë lehtë. Ndërsa 56.1% e popullsisë e përballonte muajin relativisht lehtë ose me disa vështirësi.

Nëse gjashtë kategoritë e Eurostatit grupohen në dy nivele – me vështirësi dhe pa vështirësi – rezulton se 42.5% e popullsisë së BE-së kishte të paktën disa vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore në vitin 2025.

Megjithatë, diferencat mes vendeve europiane janë të konsiderueshme. Pesha e popullsisë që përjetonte të paktën disa vështirësi varionte nga 18.3% në Gjermani dhe 19.8% në Holandë, deri në 76.9% në Bullgari dhe 87.1% në Greqi.

Të dhënat tregojnë kështu se aftësia për të përballuar shpenzimet mujore ndryshon ndjeshëm nga një vend europian në tjetrin dhe lidhet me kombinimin e të ardhurave të familjeve dhe kostove që ato duhet të përballojnë. /Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *