Kim Yo Jong akuzon SHBA-në për përshkallëzimin e tensioneve dhe paralajmëron përgjigjja mund të jetë “më ofensive”

Kim Yo Jong paralajmëron SHBA-në: Pheniani mund të përgjigjet me masa “më ofensive”

Kim Yo Jong, një prej figurave më të rëndësishme të regjimit të Koresë së Veriut dhe motra e liderit Kim Jong Un, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për atë që e konsideron rritje të tensioneve në Gadishullin Korean dhe në rajon.

Në një deklaratë të publikuar të premten nga media shtetërore e Phenianit, ajo akuzoi Uashingtonin për zhvillimin e shpeshtë të stërvitjeve ushtarake dhe paralajmëroi se Koreja e Veriut mund të ndërmarrë një përgjigje “më ofensive”.

“Situata aktuale, në të cilën po thyhen rekorde të reja në aspektin e veprimeve praktike armiqësore kundër RPDK-së, thekson nevojën për të vendosur rekorde të reja në kundërveprimet tona, të cilat do të jenë proporcionale ose më ofensive në natyrë”, deklaroi Kim Yo Jong, sipas agjencisë shtetërore KCNA.

Kritikat ndaj stërvitjeve ushtarake

Deklarata erdhi pas stërvitjes së përbashkët detare Pacific Vanguard, e zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Japonia, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re.

Manovrat u zhvilluan rreth Guam, territor amerikan në Oqeanin Paqësor, nga 29 gushti deri më 10 shtator. Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi i tyre ishte përmirësimi i aftësisë së vendeve pjesëmarrëse për të kryer operacione të përbashkëta detare në rajon.

Për Phenianin, megjithatë, stërvitje të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit.

“Manovrat e rregullta ushtarake të kryera nga Shtetet e Bashkuara janë burimi kryesor i përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës në Gadishullin Korean dhe në rajon”, tha Kim Yo Jong.

Ajo i cilësoi manovrat si një “provë lufte të udhëhequr nga SHBA-ja” dhe deklaroi se Koreja e Veriut do të vijojë të forcojë kapacitetet e saj parandaluese bërthamore.

“Vullneti ynë për të mbrojtur sovranitetin tonë do të shprehet përmes veprimeve më të qarta dhe nuk do të ketë kurrë një ndryshim në drejtimin e intensifikimit të parandalimit të luftës bërthamore”, u shpreh ajo.

Paralajmërimi për përdorimin e “të gjitha mjeteve”

Kim Yo Jong shtoi se forcat e armatosura të Koresë së Veriut do të reagojnë nëse Pheniani arrin në përfundimin se interesat themelore të vendit, sovraniteti ushtarak apo mjedisi i sigurisë në rajon janë cenuar rëndë nga aktivitetet ushtarake të kundërshtarëve.

Sipas saj, në një rast të tillë, forcat e armatosura të RPDK-së do të veprojnë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe do të mobilizojnë të gjitha mjetet në dispozicion për t’iu kundërvënë këtyre veprimeve.

Kim Yo Jong mban zyrtarisht postin e drejtoreshës së Departamentit të Çështjeve të Përgjithshme të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë, e cila është në pushtet në Phenian. Ajo është një nga zërat më të shpeshtë të regjimit kur bëhet fjalë për deklaratat ndaj SHBA-së, Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera që Pheniani i konsideron kundërshtarë.

Programi bërthamor mbetet në qendër

Koreja e Veriut realizoi testin e parë bërthamor në vitin 2006 dhe që atëherë ka zhvilluar një gamë të gjerë raketash balistike. Autoritetet në Phenian i konsiderojnë armët bërthamore si një garanci thelbësore për mbijetesën e regjimit.

Pavarësisht sanksioneve të rënda të vendosura nga Kombet e Bashkuara, negociatat për programin bërthamor të Koresë së Veriut nuk kanë rifilluar që prej vitit 2019.

Procesi diplomatik ngeci pas dështimit të samitit të dytë mes Kim Jong Un dhe presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *